09.01.2025 - AKTIVITET TRAJNUES: “Tema 2: I pandehuri në procesin penal”

Shkolla e Magjistraturës, më datë 9 janar 2025, zhvillon aktivitetin trajnues me temë “Mbrojtja e detyrueshme e të pandehurit, kuptimi dhe zbatimi në praktikë i nenit 49 të Kodit të Procedurës Penale. Rastet e mbrojtjes së detyrueshme, pavarësisht vullnetit të të pandehurit lidhur me caktimin e një mbrojtësi. Rastet e zëvendësimit të mbrojtësit dhe pasojat ligjore. Mungesa e të pandehurit në proces dhe pasojat e saj.”, pranë ambienteve të Shkollës së Magjistraturës, në Tiranë.

Ky aktivitet drejtohet nga: 

Ekspertë: Henrik Ligori dhe Rudina Palloi

Lehtësues: Artur Prenga

Qëllimi i këtij trajnimi është: të thellojë njohuritë dhe aftësitë praktike të pjesëmarrësve mbi mbrojtjen e detyrueshme të të pandehurit, duke u fokusuar në kuptimin dhe zbatimin e nenit 49 të Kodit të Procedurës Penale. Në trajnim do të trajtohen rastet kur mbrojtja është e detyrueshme, pavarësisht vullnetit të të pandehurit, si dhe rregullat për zëvendësimin e mbrojtësit dhe pasojat ligjore që rrjedhin nga mosrespektimi i tyre. Gjithashtu, do të analizohen situatat e mungesës së të pandehurit në proces dhe ndikimi që kjo ka në zhvillimin dhe vlefshmërinë e procedurës penale, duke u bazuar në praktikat gjyqësore dhe standardet ligjore.

Trajnimi do të realizohet duke ndërthurur prezantimet (deri në 20-30 min) me diskutimin e çështjeve të shtruara (pyetjeve vetë studimore; pyetje-përgjigje) dhe ushtrimeve me raste praktike & kuize, për të nxitur dhe realizuar ndërveprimin aktiv të pjesëmarrësve. 

Gjatë këtij aktiviteti trajnues do të trajtohen tema të ndryshme, si: 

  • Mbrojtja në procesin penal. Rëndësia e mbrojtjes së detyrueshme. Raste të praktikës gjyqësore.
  • Mbrojtja e të pandehurit; mbrojtja vetjake dhe mbrojtja teknike. Rastet e mbrojtjes së  detyrueshme.
  • Rregullat themelore lidhur me mbrojtjen e të pandehurit. (të  hetuarit). Rëndësia e mbrojtjes vetjake. Mundësia e kufizimit të  mbrojtjes vetjake. Praktika gjyqësore e Gjykatës së  Lartë  (Kolegjet e Bashkuara të  Gjykatës së  Lartë ). 
  • Cilësia e mbrojtjes në këndvështrimin e efektivitetit, në rastet e mbrojtësit kryesisht. Praktika gjyqësore e GJEDNJ. (Çështja Daud kundër Portugalisë, vendimi 21 prill 1998). Vendime të tjera të  GJEDNJ.  

Në këtë aktivitet trajnues marrin pjesë gjyqtarë dhe prokurorë të Republikës së Shqipërisë.

Quiz trajnimi